Fiset ilire
Vështrim mbi fiset ilire / From Wikipedia, the free encyclopedia
Fiset ilire dhe procesi i formimit të tyre në pjesën më të madhe të Ballkanit Perëndimor vazhdoi në mënyrë të ngjashme, dhe për këtë arsye duhet të llogaritet njëfarë afërsie midis grupeve fisnore të kësaj hapësire gjeografike. Kjo është mënyra e vetme për të shpjeguar emrin e përbashkët ilirët me të cilin grekët i quanin një grup fisesh që flisnin një gjuhë indo-evropiane dhe jetonin në rajonin përreth Liqenit të Shkodrës dhe në zonën bregdetare, përkatësisht, në veri të Epirit dhe Maqedonisë. Në veri të tyre kishte edhe fise të tjera, të vendosur midis Adriatikut dhe Dravës, të cilët flisnin një gjuhë të ngjashme me atë të ilirëve të vërtetë. Emri ilir u përdor për ta, së bashku me termin gjeografik romak Illyricum në vitet para pushtimit, por që përgjithësisht ngadalë filluan të quheshin edhe me emrat Delmatë, Panonë, Dardanë dhe Albanë. Jashtë këtyre grupeve, jetonin popujt venetikë të Italisë verilindore, të Adriatikut verior dhe të Alpeve lindore, të cilët shkrimtarët e lashtë ndonjëherë i përfshinin te ilirët, por që dallohen nga këto grupe kryesore ilire për nga gjuha e tyre.[1]