Territoret polake të aneksuara nga Gjermania Naziste
From Wikipedia, the free encyclopedia
Pas pushtimit të Polonisë në fillim të Luftës së Dytë Botërore, gati një e katërta e tërë territorit të Republikës së Dytë të Polonisë u aneksua nga Gjermania Naziste dhe u vendos direkt nën administrimin civil gjerman. Pjesa tjetër e Polonisë së pushtuar nga nazistët u riemërua si distrikti i qeverisë së përgjithshme . [1] Aneksimi ishte pjesë e ndarjes "së katërt" të Polonisë nga Gjermania Naziste dhe Bashkimi Sovjetik, të përshkruara muaj para pushtimit, në Paktin Molotov-Ribbentrop . [2]
Disa territore më të vogla u përfshinë drejtpërsëdrejti në Gaun e Prusisë Lindore dhe Silesi , ndërsa pjesa më e madhe e tokës ishte përdorur për të krijuar Reichsgaue Danzig-Prusinë Perëndimore dhe Wartheland . Nga ato, Reichsgau Wartheland ishte më i madhi dhe i vetmi që përbëhej vetëm nga territori i aneksuar. [3]
Termi zyrtar i përdorur nga autoritetet naziste për këto zona ishte "territoret e inkorporuara Lindore" ( gjermanisht : Eingegliederte Ostgebiete ). [4] Ata planifikuan një gjermanizim të plotë të territoreve të aneksuara, duke i konsideruar ato pjesë të lebensraumit të tyre. [5] Popullsia hebraike vendase u detyrua të jetonte në geto, dhe u deportua gradualisht në kampet e përqendrimit dhe të shfarosjes , më famëkeqi prej të cilëve, Auschwitz , ndodhej në territorin e aneksuar të Silesinë Lindore të Epërme. Popullata polake lokale duhej të skllavërohej, shfarosej dhe eventualisht të zëvendësohej nga kolonët gjermanë. Elita polake u bë veçanërisht subjekt i vrasjeve masive [6] dhe rreth 780.000 polakë iu nënshtruan dëbimit, ose ndaj Qeverisë së Përgjithshme ose në territoret e Gjermanisë së para Luftës së Dytë Botërore (Altreich). Pjesa tjetër e popullsisë polake ishte e ndarë në mënyrë strikte nga popullsia gjermane dhe i ishte nënshtruar një sërë masash represive. Këto përfshinin punën e detyruar dhe përjashtimin e tyre nga të gjitha aspektet politike dhe shumë aspekte kulturore të shoqërisë. Në të njëjtën kohë, minoritetit lokal gjerman iu dhanë disa privilegje dhe numri i tyre u rrit në mënyrë të vazhdueshme nga vendosja e gjermanëve etnikë , duke përfshirë edhe ata të zhvendosur nga transferimet e popullatës naziste-sovjetike. [7]
Pas ofensivës Vistula-Oder në fillim të vitit 1945, Bashkimi Sovjetik mori kontrollin mbi territoret. Popullata gjermane etnike ose u largua prej Ushtrisë së Kuqe ose u dëbua më vonë dhe territoret u bënë pjesë e Republikës Popullore të Polonisë.