Çmimi Pritzker
From Wikipedia, the free encyclopedia
Çmimi Pritzker për Arkitekturë jepet çdo vit "për të nderuar arkitektin apo arkitektët e gjallë, puna e ndërtuar e të cilëve demonstron kombinimin e kualiteteve si talentin, vizionin dhe zotimin, që ka prodhuar kontribute konsistente dhe domethënëse për njerëzimin dhe ambientin e ndërtuar përmes artit të arkitekturës."[1] E themeluar në vitin 1979 nga Jay A. Pritzker dhe gruaja e tij Cindy, çmimi financohet nga Familja Pritzker dhe sponsorizhet nga Fondacioni Hyatt dhe konsiderohet si një nga çmimet kryesore të botës në lëminë e arkitekturës;[2] është referuar shpesh si Çmimi Nobel për arkitekturë.[3][4][5] Fituesi më i fundit, në vitin 2016, është arkitekt kilian Alejandro Aravena.
Çmimi thuhet që jepet "pa marrë parasysh kombësinë, racën, besimin, apo të ideologjinë."[6] Fituesi merr US$100,000, një certifikatë citimi, dhe që nga viti 1987, një medalje bronzi.[7] Dizajnimet në medalje janë të frymëzuara nga puna e arkitektit Louis Sullivan, ndërsa mbishkrimet e frymëzuara nga latinishtja në anën e kundërt të medaljes —firmitas, utilitas, venustas (shqip: qëndrueshmëri, komoditet dhe kënaqësi)—vijnë nga arkitekti i lashtë romak Vitruvius.[8] Para vitit 1987, një edicion i kufizuar i skulpturës Henry Moore ka shoqëruar çmimin monetar.[7]
Drejtori ekzekutiv i çmimit, Martha Thorne,[9] bën thirrje për nominime nga disa lloj njerëzish, duke përfshirë laureatë të kaluar, akademik, kritik dhe të tjerë "me eksperiencë dhe interes në fushën e arkitekturës".[6] Gjithashtu, cilido arkitekt i liçensuar mund të bëjë një aplikim personal për çmimin cdo vit para datës 1 nëntor. Në vitin 1988 Gordon Bunshaft nominoi veten për çmimin dhe përfundimisht e fitoi.[10] Juria, që çdo vit përbëhet nga pesë deri në nëntë "ekspert ... profesionalista të njohur në fushat e tyre si arkitekturë, biznes, edukim, botim, dhe kulturë", mendojnë me kujdes herët në vitin pasues para se të shpallin fituesin në pranverë.[6] Në vitin 2015, kryesuesi i çmimit është Lord Palumbo (që ka qenë që nga viti 2005); kryesuesit e mëhershëm ishin J. Carter Brown (1979–2002), dhe Lord Rothschild (2003–04).[11]