Finalja e UEFA Ligës së Kampioneve 2010
From Wikipedia, the free encyclopedia
Finalja e UEFA Ligës së Kampioneve 2010 ishte një ndeshje futbolli e luajtur në Stadiumin Santiago Bernabéu,[1] shtëpia e Real Madridit, të shtunën më 22 maj 2010, për të vendosur fituesin e UEFA Ligës së Kampioneve 2009–10. Kjo ishte finalja e parë e Ligës së Kampioneve që luhet të shtunën, në vënd të të mërkurës, që ka qënë përherë dita tradicionale.[2] Ndeshja u fitua nga Internazionale, që mposhti klubin gjerman Bayern München 2–0 për të plotësuar tripletën, një arritje që nuk ishte arritur nga asnjë klub në Itali dhe Gjermani. Gjyqtarët e ndeshjes ishin nga Anglia me në krye Howard Webb.[3]
Kjo fitore i dha Interit Kupën Evropiane e tretë në histori, dhe të parën që nga viti 1965; për më tepër, kjo ishte finalja e parë që ata merrnin pjesë që nga viti 1972 si dhe u bë ekipi i parë italian që luan në finale që nga Milani në vitin 2007. Ndërkohë, Bayerni e kishte fituar këtë kompeticion për herë të fundit në vitin 2001 – e cila gjithashtu ishte edhe finalja e fundit që merrnin pjesë – edhe pse ekipi i fundit gjerman që kishte marrë pjesë në një finale ishte Bayer Leverkusen në vitin 2002. Kjo ishte finalja e parë që nga viti 2004 (Porto vs Monaco) ku nuk merr pjesë një ekip anglez, kjo pasi Manchester United u eliminua në çerek-finale me rregullin e golit jashtë fushe nga Bayerni. Kjo ishte finalja e katërt e luajtur në Santiago Bernabéu, pas finaleve të viteve 1957, 1969 dhe 1980.
Si fituesit e kompeticionit, Interi luajti kundër fituesve të Ligës së Evropës Atlético Madrid në UEFA Super Kupën 2010, si dhe u kualifikua në gjysëm-finalen e FIFA Kupës së Botës për Klube.