Jamestown
Fortesë dhe qytet në Virginia, Shtetet e Bashkuara / From Wikipedia, the free encyclopedia
Në vjeshtën e vitit 1605, një kompani tregtare e Londrës i kërkoi mbretit anglez Xhejms I autorizimin për të ngritur një koloni në bregun lindor të Amerikës Veriore. Një vit më pas, me aprovimin e mbretit flota e vogël prej tre anijesh e "London Company" la brigjet e Anglisë dhe doli në det të hapur. Destinimi i anijeve ishte ajo pjesë e Amerikës që emërtohej "Virxhinia". Në bordin e tyre anijet kishin gjithsej 120 burra, të vendosur për të filluar një jetë të re mijëra kilometra larg vendit mëmë. Anijet drejtoheshin nga kapiteni Kristofor Njuport të cilit para se të nisej iu dha një kuti e vulosur. Brenda saj ishte një listë me emrat e udhëtarëve që ishin zgjedhur në përbërje të këshillit që do të drejtonte jetën në vendbanimin e ri. Kutia do të hapej vetëm kur anija të ankorohej në kontinent. Ajo kuti u bë mollë sherri. Secili nga burrat mendonte se emri i tij duhej të ishte patjetër aty, sipas meritave. Midis tyre u dallua natyra e fortë e një detari të quajtur Xhon Smith i cili u arrestua e u mbajt në hekura deri në fund të udhëtimit. Xhon Smithi e kishte marrë këtë rrugë pas një karriere ushtarake në Evropën lindore, madje edhe kishte rënë rob e shndërruar në skllav nga një pasha turk.
Udhëtimi në detra e oqeane zgjati me muaj të tërë. Në anije plasën sëmundjet e madje disa udhëtarë vdiqën.
Pranvera i gjeti anijet në "Botën e Re". Kur kutia e vulosur u hap, u pa emri i të arrestuarit Xhon Smith si anëtar i këshillit drejtues të kolonisë.
Në muajin maj të vitit 1607 burrat filluan të pastronin vendin nga pemët e shkurret. Ndërtuan disa shtëpi, kishën dhe një fortesë. Kështu pak nga pak filloi të merrte formë kolonia e parë angleze e vendosur në Virxhinia. Banorët e quajtën Jamestown për nder të mbretit.