Një magnet është një material ose objekt i cili prodhon një fushë magnetike. Kjo fushë magnetike është e padukshme për syrin e njeriut por përgjegjëse për vetinë më të njohur të magnetit: një forcë e cila tërheq materialet e tjera ferromagnetike si hekuri, çeliku, nikeli, kobalti etj. dhe tërheq ose shtyn magnetet e tjerë.
Fakte të shpejta Elektrostatika, Magnetostatika ...
Një magnet i përhershëm është një objekt i krijuar nga një material i magnetizuar dhe që prodhon fushën e tij magnetike të përhershme. Një shembull i jetës së përditshme është magneti i frigoriferit i cili përdoret për të mbajtur shënime në derën e frigoriferit. Materialet të cilat mund të magnetizohen, që janë ato që mund të tërhiqen nga magnetet, quhen ferromagnetike. Ndër to përfshihen elementet hekur, nikel dhe kobalt dhe aliazhet e tyre, disa aliazhe të metaleve të rralla dhe disa minerale që ndeshen në natyrë si magnetiti. Edhe pse materialet ferromagnetike janë të vetmit që tërhiqen mjaftueshëm fort nga magnetet për tu quajtur magnetik, të gjitha substancat i përgjigjen dobët fushës magnetike, sipas një ose disa llojeve të magnetizimit.
Materialet ferromagnetike mund të ndahen në materiale magnetike "të buta" si hekuri i farkëtuar, i cili mund të magnetizohet por nuk e ruan magnetizimin dhe materialet magnetike "të forta" si AlNiCo dhe ferriti të cilët i nënshtrohen trajtimit të veçantë nën një fushë magnetike të fortë gjatë prodhimit për të rreshtuar strukturën e tyre të brendshme mikrokristalore, gjë që i bën ata të vështirë për t'u çmagnetizuar. Për të çmagnetizuar një magnet një fushë magnetike e caktuar duhet të ushtrohet dhe kufiri i kësaj force përcaktohet nga fortësia magnetike e materialit respektiv. Materialet "e forta" magnetike kanë fortësi magnetike të lartë ndërsa materialet "e buta" magnetike kanë fortësi magnetike të ulët. Forca e përgjithshme e një magneti matet nga momenti magnetik, ose, nga fluksi i plotë magnetik që ai prodhon. Forca lokale e magnetizmit në një material matet nga magnetizimi i tij.
Një elektromagnet është krijuar nga një bobinë teli e cila vepron si një magnet kur rryma elektrike kalon në tel por ndalon së qeni një magnet kur rryma ndalon. Zakonisht bobina mblidhet rreth një materiali "të butë" ferromagnetik si çeliku i lehtë, i cili përmirëson shumë fushën magnetike të prodhuar nga spiralja.