Naim Frashëri
poet, shkrimtar dhe veprimtar shqiptar (1846–1900) / From Wikipedia, the free encyclopedia
Naim bej Frashëri i njohur më së shumti si Naim Frashëri (Frashër, 25 maj 1846 - Stamboll, 20 tetor 1900) ka qenë nëpunës dhe intelektual i Perandorisë Osmane, poeti më i madh i Rilindjes Kombëtare, hartues tekstesh, përkthyesi i parë i pjesëve të Kur'anit në gjuhë shqipe dhe veprimtar i shquar i arsimit kombëtar shqiptar. Shihet si nismëtari i letërsisë shqiptare dhe një nga ikonat kulturore shqiptare më ndikuese të shekullit të 19. I gjendur me pozita të larta në administratën osmane deri kur vdiq, mes të tjerash ndihmoi në nxjerrjen e lejes për Mësonjëtoren e Korçës si dhe të Gramatikës të Kristoforidhit.
Naim Frashëri | |
---|---|
U lind më | 25 maj, 1846 Frashër, Perandoria Osmane |
Vdiq më | 20 tetor, 1900 Stamboll, Perandoria Osmane |
Gjuha | Shqip Arabisht Turqisht Greqisht Persisht Frengjisht |
Kombësia | Shqiptar |
Nënshtetësia | Osman |
Edukimi | 1870 Zosimea, Janinë |
Gjinitë letrare | Romanticizmi |
Lëvizja letrare | Rilindja Kombëtare |
Punët e shquara | Bagëti e Bujqësi, Fletore e Bektashinjet |
Bashkëshortja/et | Hatixhe |
Fëmijët | Nerqeze Nevrezi |
Të afërmit | Abdyl Frashëri (vëlla) Sami Frashëri (vëlla) Mid'hat Frashëri (nip) Ali Sami Yen (nip) |
Firma |
Naimi me të vëllezërit, Abdylin dhe Samiun, u lindën në Frashër dhe më tej u shkolluan, u rritën dhe punuan në qendrat, Janinë e Stamboll. Përgjatë arsimimit dhe kultivimit të tij nxuri gjuhët më të rëndësishme të realitetit të kohës, arabishten, persishten, turqishten, greqishten dhe frëngjishten. Kësodore qe prej atyre intelektualëve të mjedisit osman të shekullit të 19 që gëzonin qasje dhe vlerësonin si kulturën lindore që i rrethonte, si atë perëndimore.
Kontributi i tij numron 22 vepra të shtrira në 4 gjuhë, duke filluar me turqishten, persishten, greqishten dhe shqipen; si gramatika gjuhe, tekste divulgative shkencore, arsimore, përkthime dhe krijime origjinale.
Duke parë tek besimi i tij një të mesme të artë edhe për çështjen kombëtare shqiptare,[1] u bë edhe autori më përfaqësues i mistikës islame në gjuhën shqipe përkatësisht me veprat Fletore e Bektashinjet dhe Qerbelaja, si veprat e para të bektashizmit shqiptar.[1][2] Në tekstet mësimore që botoi gjenden edhe përkthimet e para selektive të Kur'anit në gjuhën shqipe të bëra prej tij.[3] I ndikuar nga ungjit, bejtexhinjtë Shahin dhe Dalip bej Frashëri,[4] në poezinë e tij u përpoq të gërshetonte sufizmin me filozofinë perëndimore e ideve poetike.[1] Vepra poetike e Naimit vuri bazat e letërsisë kombëtare dhe luajti rol të rëndësishëm në zgjimin e vetëdijes atdhetare. Naimi i këndoi mallit e dashurisë për atdhe, krenarisë kombëtare dhe të kaluarës së lavdishme të shqiptarëve,[5] duke u përnderuar që në gjallje të tij si "apostull i shqiptarizmës" dhe "bilbil i gjuhës shqipe",[6] ai hodhi themelet për zhvillimin e mëtejshëm të letërsisë shqipe.