Sami Frashëri
shkrimtar dhe filozof shqiptar / From Wikipedia, the free encyclopedia
Sami bej Frashëri i njohur në kohën e tij si Shemsedin Sami Bej (turqisht: Şemseddin Sami Bey;[1] Frashër, 1 qershor 1850 - Stamboll, 18 qershor 1904) ka qenë nëpunës dhe intelektual shqiptar i Perandorisë Osmane, gjuhëtar, leksikograf, enciklopedist, romancier, dramaturg, përkthyes dhe ideologu themelor i Rilindjes Kombëtare, së bashku me dy vëllezërit e tij Abdylin dhe Naimin.[2] Me veprimtarinë e tij u bë mendimtari më i shquar i nacionalizmit shqiptar dhe ndër pionierët e nacionalizmit turk,[3][4][5] i njohur përgjithësisht si Samiu në mënyrë informale në shqip dhe Shemsedin Samiu në turqisht.[6] Në opinionin turk njihet si "babai i enciklopedistëve."[7]
Shemsedin Sami bej | |
---|---|
Emri në lindje | Sami Frashëri |
U lind më | 1 qershor, 1850 Frashër, Perandoria Osmane |
Vdiq më | 18 qershor, 1904 Stamboll, Perandoria Osmane |
Emri i letrave | Sami bej Frashëri |
Kombësia | Shqiptar |
Nënshtetësia | Osman |
Edukimi | "Zosimea", Janinë |
Punët e shquara | "Kamus al Alam", "Shqipëria ç'ka qenë, ç'është e ç'do të bëhet" |
Vite aktiv | 1872 - 1904 |
Bashkëshortja/et | Emine h. |
Fëmijët | Ali Sami Yen |
Të afërmit | Naim Frashëri Abdyl Frashëri |
Nisi veprimtarinë e tij kulturore me përkthime, vepra autoriale, themelim i të përkohshmeve dhe drejtimin e një kolane botimesh. Veprimtaria e tij u shtri në gjuhën turke osmane dhe atë amtare, duke lënë kontribut themeltar për të dyja. Turqishtes i hartoi përmbledhjet e para leksikografike, enciklopeditë, romane dhe drama, shtroi çështje për reformimin e gjuhës turke osmane, por gjithashtu në hapësirën shprehëse të saj loboi për identitetin, problematikat dhe çështjen shqiptare.[8] Është autor i të parit roman të gjuhës turke, titulluar Ta'aşşûk-ı Tal'at ve Fitnât (sq. Dashuria e Talatit me Fitneten) botuar më 1872. Nëpër pamfletet që botoi përhapi qëndrimet e tij mbi rrënjët islame të qytetërimit evropian dhe çështjet e gruas.[9]
Veprimtaria e tij në gjuhën shqipe përmbledhet tek disa tekste mësimore, përpilimin e një gramatike dhe hartimin e alfabetit të Stambollit që u njoh edhe me emrin e tij, si dhe me traktatin Shqipëria ç'ka qenë, ç'është e ç'do të bëhet që u bë manifesti politik i Lëvizjes Kombëtare.