Metafizika
From Wikipedia, the free encyclopedia
Metafizika është degë e filozofisë që merret me shpjegimin e natyrës së botës. Ajo ka si pikësyinim te shpjegojë natyrën e qënies dhe realitetit. Ajo shtron pyetje të tilla si: Cila është natyra e realitetit? A ka Perëndi dhe çfarë vetish zotëron ai? Cili është roli (vendi) i njeriut në gjithësi? Përse është gjithësia dhe si u krijua? Cili është dallimi midis shpirtit dhe lëndës? A zotëron njeriu një shpirt të pavdekshëm, a ka ai një dëshirë të lirë?
Fjala metafizikë rrjedh nga fjala greke μετά (metá) ("përtej" ose "më pas") dhe φυσικά (fisiká - "natyrë, fizikë"), ku fjala "fizikë" i referohet punës së Aristotelit në lashtësi mbi materien. Parashtesa meta- ("pertej") iu bashkangjit kapitujve në shkrimet e Aristotelit që natyrisht ndiqej nga kapituj mbi "fizikën" në pjesë me shënime sqaruese. Aristoteli vetë nuk i quante këto punë metafizike. Ai i quante disa nga çështjet e trajtuara aty si "filozofia e parë" apo "filozofia në hapat e para". Njeriu që studion metafizikën quhet metafizikan.
Kozmologjia dhe ontologjia janë degët tradicionale të metafizikës.
Kozmologjia merret me prejardhjen dhe zhvillimin e gjithësisë në tërësi dhe vendin e njeriut në të në veçanti dhe është degë e fizikës dhe filozofisë.
Ontologjia është dega që kërkon për kategoritë e gjërave që ekzistojnë në botë dhe lidhjet që këto kanë me njëra-tjetrën. Metafizikani, gjithashtu, orvatet të sqarojë nocionet me të cilat njerëzit e perceptojnë botën, duke përfshirë ekzistencën, "objektin", pronësinë, hapësirën, kohën, rastësinë, dhe mundshmërinë.
Para zhvillimit të shkencës moderne u ngritën pyetje shkencore si pjesë e metafizikës, e njohur si "filozofia natyrale"; vetë termi "shkencë" do te thotë "dituri, njohuri". Metoda shkencore, megjithatë, e bënte filozofinë natyrale një aktivitet empirik dhe eksperimental të ndryshëm nga pjesa tjetër e filozofisë, dhe nga fundi i shekullit XVIII nisi të quhej "shkencë" në mënyrë që të dallohej nga filozofia. Më pas, metafizika u bë kërkimi filozofik i një karakteri jo-empirik në natyrën e ekzistencës.