Lidhja e Prizrenit
organizatë politike shqiptare (1878–81) / From Wikipedia, the free encyclopedia
Lidhja e Prizrenit (turqisht: Prizren Itifaki ose Ittihadi), ishte një organizim politik i parisë së katër vilajeteve që ishin shumicë shqiptare për nga popullsia në Perandorinë Osmane, themeluar zyrtarisht më 10 qershor 1878 në xhaminë Bajraklie të Prizrenit, qytet ku deri një vit përpara ishte qendra e Vilajetit të Kosovës.
Formuar më | 10 qershor 1878 (1878-06-10) |
---|---|
Themelues | 47 bejlerë shqiptarë |
Shpërbërë më | Prill 1881 |
Udhëheqësi | Abdyl Frashëri |
Traktatet e Shën Stefanit dhe Berlinit u kishin caktuar territore të banuara edhe nga shqiptarë shteteve të tjera pas Luftës Ruso-Turke, shqiptarët u përgatitën për rezistencë kombëtare. Në pamundësi që Perandoria Osmane t'u shmangej traktateve, Sulltan Abdyl-Hamidi II thirri në Stamboll Sheh Mustafa Tetovën dhe Abdyl bej Dume-Frashërin në shenjë përkrahjeje; dhe u shkroi letra kadiut të Gjakovës Ahmet efendi Koronicës, myderrizit të Prizrenit Ymer Efendiut dhe myftiut të Dibrës Jonuz Efendiut, ndërsa i dha urdhër komandantëve ushtarakë në vilajetet shqiptare që të mos e pengonin zhvillimin e Lidhjes.[1][2]
Qëndrimet fillestare të Lidhjes, në krye të komitetit qendror të së cilës ishte Iljaz pashë Dibra, u parashtruan në Kararname. Në këtë dokument prijësit shqiptarë theksonin synimin e tyre që të ruanin dhe mbanin integritetin e territoreve të Perandorisë Osmane në Ballkan në mbështetje të Portës. Megjithatë qëndrimet dhe projekti i Lidhjes përvijoi ndryshe duke përshfaqur rrymat e brendshme.