KF Tirana
From Wikipedia, the free encyclopedia
Klubi i Futbollit Tirana është një klub futbolli shqiptar me seli në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë. Ky ekip është degë e klubit shumësportësh SK Tirana, dhe është klubi i futbollit më i suksesshëm në Shqipëri, duke fituar 54 trofe madhorë të njohur zyrtarisht nga Federata Shqiptare e Futbollit. Ekipi luan në Kategorinë Superiore, liga elitare e futbollit shqiptar. Ndeshjet në shtëpi i luan në Stadiumin Selman Stërmasi.
Emri i plotë | Klubi i Futbollit Tirana | ||
---|---|---|---|
Pseudonimi(et) | "Tirona" "Noltmadhnia" "Bardheblutë" | ||
Themeluar | 15 gusht 1920; 103 vite më parë, si Sport Klub Tirana. | ||
Stadiumi | Selman Stërmasi[1] | ||
Kapaciteti | 22,500 | ||
Pronarët | Refik Halili (66%)[2] Bashkia e Tiranës (34%)[2] | ||
Presidenti | Refik Halili | ||
Trajneri | Erbim Fagu | ||
Liga | Kategoria Superiore | ||
2022–23 | 2 | ||
Faqja zyrtare | Faqja zyrtare e klubit | ||
| |||
Sezoni aktual |
Klubi u themelua më 15 gusht 1920 nën emrin Sport Klub Tirana e më pas Shoqëria Sportive Agimi,[3] dhe dhjetë vite më pas morën pjesë në kampionatin e parë zyrtar kombëtar të zhvilluar në Shqipëri. Që nga ajo kohë, Tirana mori pjesë në çdo kampionat të luajtur. Gjithsesi, vëndi i nëntë në sezonin 2016–17 bëri që klubi të zbriste për herë të parë në Kategorinë e Parë.[4]
Tirana ka garuar nën emrin SK Tirana nga viti 1927 e deri në 1947. Më pas regjimi komunist detyroi klubin të garonte me emra të ndryshëm si 17 Nëntori Tirana, Puna Tirana dhe 17 Nëntori. Në vitin 1991, me ardhjen e demokracisë, KF Tirana rimori emrin origjinal dhe u nda në dy degë: shumësportëshi SK Tirana dhe dega e futbollit KF Tirana.
Tirana është klubi më i suksesshëm shqiptar në kompeticionet evropiane, duke kaluar të paktën një raund në trembëdhjetë raste që kur debutuan për herë të parë në Kupën Evropiane 1965–66 (një tur i kaluar falë shortit, pa luajtur). Ata kanë arritur raundin e 16-ve të Kupës Evropiane (tani me emrin UEFA Liga e Kampioneve) në tre raste, dhe katër raste gjithsej. Duke qenë kështu ekipi shqiptar që ka avancuar më larg në të gjitha kompeticionet Europiane. Ata gjithashtu kanë rekordin për renditjen më të lartë të një klubi shqiptar sipas IFFHS, duke arritur vendin e 31të në renditjet botërore të vitit 1987,[5][6] si rezultat i rezultateve të mira arritur në sezonin e mëparshëm të Kupës së Kupave. Tirana është anëtare e ECA.[7]