Balshajt
From Wikipedia, the free encyclopedia
Balshajt (në alfabetin cirilik: Балшић, pl. Balšići / Балшићи; edhe Bašići; latinisht: Balsich) kanë qenë një familje fisnike që sunduan Zetën nga 1362 deri më 1421, gjatë dhe pas rënies së Perandorisë serbe.
Balsha themeluesi ishte një fisnik i vogël që kishte një fshat në zotërim gjatë sundimit të Car Dushanit, dhe vetëm pas vdekjes së tij tre djemtë e tij zgjeruan sundimin e tyre në Zetën e Poshtme duke shtënë në dorë zotërimet e gospodin Zharkos nga rrethana të paqarta. Më tej u zgjeruan në Zetën e Epërme pasi vranë vojvodën dhe çelnikun Gjurash Ilijiqin. Ndërkaq u njohën si oblastni gospodari të Zetës me edikt të Stefan Uroshit. Pas vdekjes së Uroshit, familja pati një hasmëri me Mërnjaçeviqët që zotëronin Maqedoninë.[1]
Për të zgjeruar ambiciet e tyre bregdetare dhe për t'i forcuar lidhjet me Perëndimin, në vitin 1369 kaluan në ritin katolik, megjithatë, ata nuk dëtyruan vartësit e tyre ortodoks të bënin të njëjtën gjë kësodore duke u dëshmuar tolerantë ndaj besimeve tjera, për dallim prej mbretërve serbë që mëtonin të çrrënjosnin herezitë.[2][3][4] Zotërimet e tyre u shtrinë nga Zeta (pjesë të Malit të Zi të sotëm), deri në Kostur. Në vitin 1385 ushtria e Balshajve u përball me ushtrinë osmane e ftuar nga Karl Topia në Savër duke pësuar disfatë. Si rrjedhojë humbën pjesën më të madhe të zotërimeve të tyre.
Mbi origjinën e tyre ka disa hipoteza, por shumica e burimeve të sotme mbështesin origjinën shqiptare të tyre.